Prozë

Kodi 16-15       

 

 

 

Mure që bien, mure që ngrihen

Në netët e pafundme të vetmisë zgjodha këtë të mërkurë pa hënë të flas.

Unë jam unë.

Unë, që ngrihem në mëngjes pa motiv e bie në darkë me iluzione motivesh. Gjatë ditës jam po unë. Po, ajo që po mendon dhe ti.

Endem rrugëve si e humbur në një qytet ku njerëzit gëlojnë si bletët në zgjua. Asgjë nuk ngjan me mua, asgjë veç shëmbëllimit në pasqyrë ku mundohem të kuptoj veten. E varfër nuk jam, edhe pse në sytë e të tjerëve ngjaj e tillë. Njeri i thjeshtë si miliona në botë, pa u përpjekur të bie në sy. Asgjë nuk ngjan me mua veç shëmbëllimit në pasqyrë. Jeta, zhvillimi, vdekja të njëjta për mua, të pafryma, të pajeta, të zvarritura në rrugët e qytetit tim. Asgjë nuk ngjan me mua veç shëmbëllimit në pasqyrë, ku mundohem të kuptoj veten e ku s’kuptoj asgjë veçse e varfër nuk jam…

E lodhur në atë mënyrën time më se të zakonshme, sonte po përpiqem të futem thellë në vorbullën e mendimeve të mia. Sikur edhe heshtja të flasë në mënyrën e saj, imagjino sa fjalë të reja do t’i shtoheshin fjalorit të botës… Bie e ngrihem në mënyrë të pakontrolluar. Ndonjëherë  më ngjan vetja me muret e Rozafës. Kur unë mendoj se do ia dal, po atëherë, sikur për inat të shembet gjithçka para syve. Ti nuk je e aftë për asgjë. Unë nuk jam e aftë për asgjë…

Nuk do doja të mbaronte kjo natë. Do doja të mos vinte më e nesërmja, të mos ekzistonte e shkuara. Më ka rrokullisur jeta, më ka lodhur  e kjo është ajo çka dua vërtetë. Sikur të mund ta ndaloja kohën. Nuk dua as edhe dy lëvizje akrepi me tepër 00:31, në 9 qershor 2016 do jetoja gjithë jetën. Por Zoti nuk bën kompromise me njerëzit. Aq më pak me një njeri të vogël si unë. Kam përballë hënën. Është vonë dhe morali im e ndalon të shoqërohem natën  me të panjohur. Por kjo hëna është e çuditshme.

E paftuar bie në fytyrën time si për të gjetur qetësi a ngushëllim, s’e bëj dot dallimin. Unë e ajo ngjasojmë tej mase. Është e mbushur plot njëlloj me shpirtin tim të mbuluar nga lodhja. E kuptoj që është e trazuar si llava në brendësinë time, por nuk ia di problemin. Nesër nuk do jetë e njëjta. Do jetë bosh. Sërish si unë. Ironike. E gjeta një mike në univers. Hëna transformohet, ndoshta për të mos rënë në sy. Mua nuk ma hedh dot. Unë jam ajo. Ajo është unë. Një gjë e vogël, që përpëlitet në një botë të madhe. Bie e ngrihet njëlloj si unë. Rrugës po kuptoj që paskemi një ndryshim. Unë kam shtrat tokën, hëna qiellin. Të dyja ndajmë shtretër të trazuar. Por ky i imi tronditet më fort. Lëkundet më egër. Hakmerret më ashpër. Biem e ngrihemi në destinacione të ndryshme, por me të njëjtin entuziazëm, me të njëjtin dëshpërim.

Kam shkarravitur shumë kohët e fundit në ndërgjegjen time. Aq shumë sa nuk kam më fuqi të vendos as një pikë të fundit në të, ndryshe do fundosem. Kam dy veta mbi supe. Një që ngrihet e një që bie si mur i pagatuar mirë. Kam menduar se të paktën unë pa përfshirë atë tjetrën që më rëndon prej ca vitesh do ia dal. Kësaj i thonë të të vijnë në shtëpi të paftuar e të të marrin fronin. Kam shkruar disa herë për këtë, “unë”, që më bren e del mbi mua në çdo 2 minuta jetë. Sikur t’i jem dorëzuar. Sikur unë e mbarova misionin tim mbi tokë që, në fakt, akoma nuk e kam nisur. Sikur Zoti ma dha jetën për ta falur. Po zbardh dhe unë akoma nuk i kam dhënë dum vetes. Vazhdoj, bie e ngrihem sa herë duan ato që unë nuk komandoj dot. Po bie shi në tokën mëmë, që më urdhëron t’i bëj hapat e ngadaltë në shenjë triumfi. E ka kuptuar që është shumë herë më e fortë se unë. E ka kuptuar që një pikë shiu nga pasuria e saj natyrore shpërlan e zhduk qenësinë e një njeriu të vakët si unë.

Ekzistojnë katër akte në botëkuptimin telenovelian të jetës njerëzore. M’u desh kohë ta kuptoja, por e kuptova drejt.

Akti i jetës. Një akt pa jetë. Si ushtar i përkryer i një batalioni jofunksional.

Akti i pendesës, kur vetja njeh veten e kërkon falje në emër të saj.

Akti i ndëshkimit, ku s’do t’ia dijë njeri për ty. Ti merr atë që meriton a nuk meriton në varësi të rrethanave në të cilën ndodhen të tjerët.

Akti i vdekjes.

Fundja pse të kesh frikë nga tri aktet e para kur e njeh dhe e di mirë fundin?

Këtë s’kuptoj nga vetja… Dhe këtë s’kuptoj nga bota…

Bie e ngrihem si mur i pagatuar mirë…

Posto një koment