Prozë

Kodi 16-16

 

Mure shpresash apo?…

 

Thirre veten, nëse humbur në shtigje jete e ke, dhe lejomë të të pyes diçka:

– Sa të mban frymë shpirti në vështirësi?

– Hëm… aq sa shpresa ka.

Çdo ditë kur zgjohem në mëngjes, ushqehem me një shpresë të mirë, me pak guxim dhe në dalje nga shtëpia hedh mbi fytyrë aromë lirie ëndrrash.

Nisem në destinacione të orientuara, aty ku jeta thërret, aty ku ëndrrat presin për lulëzim dhe… bie.

Mure të larta, energji të pakta, apo sistem i padrejtë?!

Brenda shpirtit, kala që bien me dëshpërim, bëjnë mjegull verbuese e shkaktojnë tërmete zemrash… ndoshta të padrejta… të pa merituara.

Është faji im.

Duhet të ushqehem më mirë, me vullnet më tepër, përqendrim maksimal te qëllimet dhe natyrshëm gëlltis sërish disa shpresa më tepër.

Ngrihem sërish. Kësaj radhe me më shumë energji dhe bindje se rrugët e ëndrrave do marrin zgjidhje.

Luftova çdo ditë nga pak që dita-ditës duke u lartësuar me njohuritë e duhura, do jem e forcuar me besim se betejat do i shuaj kësaj here dhe rrugë të reja do nis më tutje. Do ia dal!

Shpresat u ngritën, u lartësuan më tepër, deri në momentin kur realiteti i tërhoqi zvarrë me litarë mbërthyer kyçesh… pandershmërisht… padrejtësisht.

Dhe ja ku jam… sërish atje në betejë të njëjtë, sepse nuk jam aq i dobët sa të dorëzohem por… as aq i fortë sa të fitoj.

– Por… gjithmonë je nisur me këtë fytyrë?

– Po, pse duhet një tjetër?!

– Me të njëjtën kuletë bosh çdo herë?!

– Po, pse edhe të eci vetë në këmbë duhet të paguaj?!

– Gjithmonë vetëm je nisur?

– Po, pse duhet patjetër një mik?!

– Atëherë, shko!

Shko atje ku pesha e gurit në vend të huaj e kalon me disa gramë më tepër peshën që ka në vend të vet.

Mjaftohu me shpresat derisa të kuptosh se këtu, sot, sistemi e do fli një “Rozafë” që muret e ëndrrave të tua të qëndrojnë në këmbë.

Posto një koment