Prozë

Kodi 16-21     

 

Trup i përmalluar

 

… Trupin tim e kishte marrë malli për ty!

Ndieja një të ftohtë përvëlues që më përzhiste poret e lëkurës, dhe rrekesha të gjeja ngushëllim duke kujtuar çastet e mrekullueshme që kishim kaluar bashkë: mënyrën se si zhvisheshe dhe hidheshe krejt si një flutur e papeshë në krahët e mi duke më kukurisur si një njëmbëdhjetëvjeçare nazike pas veshit…

Duart e mia të fuqishme prej mashkulli u rrekën të mbaheshin në skeletin prej dylli të këtyre imazheve, shpirti im gjithashtu rrekej të ushqehej me mirazhet e përhënura dhe fantazmagorike të këtyre çasteve… por kjo qe e kotë!

Kaq të vështirë e ke të kuptosh që unë atë çast pata nevojë për ty e jo për riprodhimet e tua të stërmunduara pamore e dëgjimore?!

Unë mund të rilindja vetëm duke dëgjuar muzikën që kompozohej teksa të prekja butësisht në qafë dhe në kofshën e djathtë, mund të merrja frymë lirisht vetëm po ta dija që të kisha ty pranë…

Një ndjesi e mrekullueshme më përshkonte të tërin teksa shihja reflekset e mrekullueshme që laryshonin sa hap e mbyll sytë bebëzat e tua kur të përkëdhelja…

Nuk e di, me siguri një reaksion djallëzor duhet të ketë ndodhur brenda meje, për aq kohë sa unë denjova të hidhesha në krahët e një gruaje tjetër pa m’u dridhur aspak qerpiku. Një gropnajë e frikshme urie duhet të jetë krijuar në themel të shpirtit tim për kushedi cilën arsye, sepse unë verbazi iu drejtova krahëve të një gruaje tjetër me shpresën marroke se kisha për të gjetur shpëtim.

Ndodhi aq shpejt (as vetë nuk e di sesi gjërat ndoqën njëra-tjetrën aq shpejt sa mos të linin asnjë gjurmë në celuloidin e kujtesës sime) dhe di vetëm që pas pak çastesh përfundova në shtrat me një të huaj. Nuk vonoi kur në dhomë hyri një grua e dytë dhe e pata të lehtë të kuptoja se ajo do të më ofrohej, vetëm nga mënyra se si shihte dyshemenë, dhe hidhte tek-tuk sytë te kapërthimi i çmendur seksual me partneren time të parë.

Në lojë hyri edhe ajo.

Qe argëtuese!

Pavarësisht të gjithave, është bukur të pish njëkohësisht nga dy sterna, dhe unë dita t’i gëzohesha çastit e të harroja detyrimin tim moral – prej burri të martuar – për besnikëri bashkëshortore.

S’e di përse, por një mashkull ka gjithmonë nevojën të bëjë diçka “shtesë”, diçka të ndaluar, që është “jashtë listës”, diçka të ndyrë e imorale; ndoshta natyra mashkullore është e tillë, që synon të sprovohet e të afirmohet në akte perverse e përtej kufirit…

Ai e do bashkëshorten e tij, i pëlqen ngrohtësia e kurdohershme dhe “standarde” e shtratit bashkëshortor, ai i adhuron fëmijët e tij, jep edhe shpirtin për të plotësuar dhe tekën me spitullaqe e të parëndësishme të tyre, sytë i mbushen me lot dhe gëzim teksa sheh të mishëruar tek ata të ardhmen dhe trashëgimtarët e vet legjitimë…, por ai ka një nevojë të patjetërsueshme për të qenë një Odise, një Jason i paskrupullt dhe aventurier që çan dete, që braktis gruan dhe fëmijët e tij për dashnoren e tij të radhës, që rrëmben si uragan zemrat e vajzave të reja e ëndërrimtare gjireve të mrekullueshme të Egjeut, për t’i bërë më pas copë e çikë ëndrrat e tyre për dashuri të përjetshme…, që rri me dekada e shekuj larg shtëpisë, në fushën e betejës, që nuk lë bujtinë e bordel pa vizituar, në çdo orë të natës e të ditës, në krahët delirantë e pa kurrfarë arsye të nikotinës, alkoolit dhe epshit frelëshuar, për orë e orë të tëra të netëve të paemërta e anonime që zbardhin në qytete të reja e të panjohura, në udhëkryqe birrarish teksane, në dyluftime me sherifë kokëkrisur të pajisur gjer në dhëmbë me pistoleta e vezme të mbushura plot e përplot me barut, mbi kuaj të azdisur të cytur prej namuzesh të çelikta, në arena toreadorësh ku humbja e një dashurie të shtyn të dalësh me një banderolë te kuqe përpara brirëve të një demi buluritës, ndërsa në vesh të vjen jehona e brohorive nxitëse të adhuruesve duke udhëtuar i qetë në një stepë të paanë ku tek-tuk jeshilojnë mështekna të rralla, në muzg, mbi një kalë te përhimët që çapitet përtueshëm, ti, një kozak fjalëpakë e kryelartë, i lodhur tanimë me gjithçka që ke bërë, rrugëton ngadalë drejt strehës tënde familjare, për t’u prehur, për të mbledhur eshtrat dhe shpirtin e drobitur nga rraskapitja duke u freskuar me besnikërinë e çeliktë të bashkëshortes dhe duke u çlodhur nga përqafimi i fëmijëve që të prisnin prej kaq shumë kohësh. Erdhi koha që të bëhesh përsëri «i rregullti» dhe «familjari», i devotshmi prind dhe i mirëkuptueshmi bashkëshort: “Burrëria ka nevojë për qetësi dhe qëndrueshmëri”, – i thua vetes dhe i falesh përditshmërisë dhe qetësisë familjare.

Kështu ndodhi edhe me mua.

Si një Jazon mosmirënjohës dhe çmendurak, mua më kapi grishja e marrë për të kërkuar dashurinë në një zabel të ri, në prehrin dhe krahët e një bije të Kreontit, duke të harruar për një çast ty, duke harruar gjithçka që pate bërë dhe pate qenë për mua për gjithë këto vite!

I mbërthyer në litarët frenetikë të epshit mashkullor, unë e gjeta veten mes shalëve, krahëve dhe flokëve të dy grave të huaja duke mos qenë asfare i ndërgjegjshëm për çfarë po bëja. Në venat e mia të tejmbushura me testosteron lindi një dëshirë e frikshme për të shkapërthyer dyert e muskujve, trupit, shpirtit, dhe moralit tim; një mendjengulitje obsesive për të shkruar me shkronja të zjarrta të drejtën time, prej burri dhe qenieje njerëzore, për të qenë i lirë! Që veç  një çast kur unë urova me gjithë fuqinë e shpirtit tim që gjithçka të merrte fund me gjithsejtë atë çast: të mos kishte më as të shkuar dhe as të ardhme për mua, vetëm një të tashme njësekondëshe e të përjetshme; të ishte vetëm ai çast dhe gjithçka tjetër të zhbëhej sa hap e mbyll sytë! Thjesht doja që për një herë të vetme të notoja i vetëm dhe krejt i lakuriqtë në oqeanin e stuhishëm e rrezikzi të epshit, dhe me pas të bëhej ç’të bëhej! Doja ta dendja me ujë fytin tim të tharë nga etja shekullore, ta shuaja njëherë e përgjithmonë urinë e padurueshme mashkullore, që fantazonte qysh prej mijëvjeçarësh të panumërueshëm, skena të shumëpritura e vesliga shtretërish të pacipë!

Le t’i shembja për një çast kolonat e tempullit që ngrihej brenda meje, dhe pastaj të përgjoja veshnderë, me zemrën që më rrihte si e marrë në kyçe dhe pas veshit, ç’do të ngjante me botën dhe me mua pasandaj.

Dhe unë e bëra këtë!

E humba veten për një orë duke çukërmuar me ngulm dhe nerv tokën poshtë meje, ashtu si një hamshor i ndërsyer keqazi.

Harrova si quhesha, kush isha, dhe çfarë doja.

Emri im i ri ishin kërcitjet e shtratit për shkak të kalërimeve të egra mbi të, klithjet e kënaqësisë dhe dhimbjes, mbërthimi dhe lidhja e duarve pas hekurave të shtratit, shuplakat epshndjellëse në fytyrë dhe vithe, lëkura kundërmuese dhe e djersitur, që dukej si e lyer në vajra aromatike, sytë që perëndoheshin nga zeniti i përjetimit të pasionit…

… Gjithçka përfundoi teksa agonte…, dhe unë ngela vetëm!

Me imazhin e vajzave që kërkonin me nervozizëm xhepave të xhinseve të mia – të hequra rrëmbimthi e të degdisura shkujdesshëm në këmbët e karriges më të afërt – për të marrë hakun e porcionit dashuror (s’ka arsye përse të them seksual) që më patën dhënë, unë u ndjeva më i vetmuar se kurrë!

Më shoqëronte vetëm një djersë veshtullore dhe e lagështitur që më rëndonte mbi lëkurë si merkur dhe që më bënte të ndihesha çuditërisht fajtor, dhe një puls marrok dhe i njëkohshëm në të dy tëmthat që më kujtonte se rezerva e energjisë brenda meje kishte mbaruar.

Jashtë filloi një shi i imët e shpirtlagës, që depërtonte në skutat më të fshehta të qenies, dhe tanimë kuptova jo vetëm që flaka e epshit qe shuar brenda meje, por më dukej sikur dëgjoja dhe zhurmën bezdisëse të pikave të shiut kur bien mbi thëngjij të ndezur…

Hi i lagur…!

Unë qava.

Ishte pikërisht momenti kur ti pasi ishe veshur për në punë dhe kishe përgatitur mëngjesin për mua, vije dhe më përshëndesje duke më puthur qetësisht në buzë, për mos të më zgjuar… Dhe edhe sot duhet të jesh duke bërë të njëjtën gjë.

Një natë më parë ke fjetur në shtratin e dëlire e qetë, duke e kapërdirë për të mirëqenë gënjeshtrën time “se nuk mundesha të vija në shtëpi, sepse kishim në zyrë një mbledhje të jashtëzakonshme, dhe më duhej të qëndroja atje për gjithë natën, deri në mëngjes, dhe je gdhirë me mendimin shqetësues se çfarë duhet të ketë ndodhur duke u shqetësuar se mos vallë kjo mund të sillte ndonjë pasojë të paparashikuar e të papëlqyer për të dy ne, si p.sh. pushimin tim nga puna etj. etj. Ke rregulluar gjithçka në shtëpi, ke përgatitur për drekë pjatën time të preferuar, dhe e ke lënë të ftohet në frigorifer, dhe ke kyçur derën e jashtme të shtëpisë, me mendimin për të më telefonuar në orën dymbëdhjetë – në orën e pushimit të drekës, për të mësuar më në fund ç’kishte ndodhur dje.

Në shtëpi tani nuk ka asnjeri.

Nga dritarja e sallonit depërtojnë në holl rrezet mëngjesore të diellit, dhe mua më duket sikur  e kam përpara hundës aromën e veçantë të shtëpisë në nisje të çdo dite të re…

E dashur, ti po nxiton për në punë e pafajshme dhe pa e pasur idenë për atë se ç’ka ndodhur, por nuk e di se ç’peshë të lemerishme ka turpi dhe pendimi mbi një burrë që tradhton qenien që ai do më shumë në këtë botë…

Besoje apo jo, një burrë mund të tradhtojë edhe kur dashuron!

Ndoshta kjo është mënyra se si gjërat funksionojnë…

Unë nuk e di, kam kaq shumë frikë se mos të humbas…

Tani dua vetëm të fle e të përgjumen me mendimin se të dua…

Ti je jeta ime!

 

Posto një koment