Prozë

Kodi 16-14      

Në mes të mureve

 

Shtrëngatat e shiut përplaseshin me furi mbi rrugën e shtruar me asfalt. Askush nuk kishte marrë guximin për të qenë jashtë në atë ditë, përveç një gruaje, e cila endej e vetme përgjatë asaj stuhie duke mos munguar as rrebeshi i lotëve në faqet e saj. Qante pa u ndalur, një hidhërim i tmerrshëm e kishte mbuluar, ndërkohë që shiu i llahtarshëm po e lagte të tërën, pa e menduar dy herë atë gjë.

U bë pjesë e oborrit të shtëpisë ku banonte. Ndjeu për një moment qetësinë që buronte përreth, ku as zhurma e shiut nuk ishte në gjendje ta asgjësonte. Sytë i dalluan nga jashtë dritën e ndezur të dhomës së ndenjjes, brenda asaj shtëpie modeste. Hyri ngadalë brenda dhe…

– Gëzuar ditëlindjen! – thanë njëzëri një burrë së bashku me tri vajza të vogla.

Ishin familja e saj, të gjithë të lumtur teksa ekzekutonin surprizën e përgatitur, për bashkëshorten dhe nënën e asaj shtëpie. Gruaja nisi të qante më shumë, nuk mundi të mbahej, trishtimi kishte minuta që po e konsumonte.

– Çfarë ke zemër?! – tha burri duke iu afruar me hapa të lehtë. – Ndihesh keq?

– Duhet të flasim. – tha ajo e mekur.

Ai e mori gruan e tij, i lanë vajzat aty duke i shuar papritmas dhe gëzimin e tyre, që kishin pasur deri në atë moment.

Hyrën në dhomën e tyre të gjumit. Gruaja u ul mbi shtrat, ndërsa ai u gjunjëzua para saj duke prekur lehtë fytyrën e brishtë që ajo posedonte.

– Ndonjë problem me fëmijën? – pyeti ai duke e nxjerrë zërin me frikë të paskajshme.

– Jeta ime, – tha ajo duke dënesur, – e kam dëshiruar gjithmonë të të jap një djalë, një trashëgimtar tëndin, por…

– Por, çfarë po ndodh zemër? – pyeti ai duke i ngulitur thellësisht sytë mbi ato të saj.

– Shtatzënia ka shfaqur komplikacione, – tha ajo me zë të vajtuar. – Gjithë ato shqetësime… të gjitha kanë pasur një domethënie, fatale.

Burrit filluan t’i dridheshin duart, zëri i saj po kumbonte, ndërsa jehona bëhej gjithnjë e më e largët.

– Ose është jeta ime, ose është jeta e tij. Këtë gjë e përcaktoi qartë doktori… – shtoi ajo, ndërsa uli kokën dhe me të dyja duart po prekte barkun, ku krijesa e re po përpiqej për të jetuar.

Tjetri u ngrit në këmbë, fërkoi sytë teksa po i pikonin lot të pakontrollueshëm, djegës, mbytës. Ishte i gjithi në shok duke mos e besuar aspak atë që dëgjoi.

– Çfarë do të bëjmë? – foli me zë të lartë bashkëshortja e tij. – Bëhet fjalë për djalin tonë, që kemi vite që e presim. Përse po na ndodh neve kjo gjë?!

– Qetësohu zemër! – tha ai më në fund, me artikulim të lehtë, si të pakuptimtë. – Jeta do na dhurojë mundësi të tjera. Herët ose vonë, djali ynë do vijë…

Ajo u distancua prej tij. U ngrit nga shtrati dhe e shikoi sikur të kishte para vetes një tjetër njeri, jo burrin me të cilin bashkëndante jetën.

– Po thua që…

– Do kalojë shumë shpejt i gjithë ky proces, sikur të mos ketë ndodhur kurrë. – u përgjigj ai duke e nuhatur shumë mirë pyetjen e saj të dhimbshme.

Ai e përqafoi fort duke mos e lënë atë të shtonte asnjë fjalë më nga se ishin thënë. Të dy po qanin, po dridheshin, po vriteshin nga brenda pak e nga pak, ku momenti në fjalë nuk po tregonte as mëshirën më të vogël.

Minuta më vonë, u gjendën përsëri në dhomën ku ishin vendosur ushqime dhe pije freskuese mbi tavolinë, ndërkohë që dhe tullumbace shumëngjyrëshe vareshin mbi kokat e tyre, por në atë ditë, gjithçka e humbiste kuptimin pozitiv.

Gruaja shikoi tri vajzat, të mërzitura për festën e ndërprerë, që në fakt kurrë nuk kishte filluar. I mblodhi të gjitha afër vetes me një përqafim, në mënyrë që ngrohtësia e bijave të saj, ta ndihmonte për t’u shkëputur nga ai realitet, qoftë dhe për disa sekonda.

Të nesërmen shiu kishte pushuar, por retë e vrenjtura qarkullonin akoma në qiellin e zymtë. Burrë dhe grua u gjendën që herët në mëngjes në spital. Nuk kishin vënë gjumë në sy gjithë natën e kaluar. Një infermiere u tha që të prisnin pak kohë, deri kur doktori të mund t’i priste në zyrën e tij. Gruaja e re e pa bashkëshortin e saj, i cili po mundohej nga brenda dhe dukej qartazi që nuk ishte në vete.

U dëgjua papritmas një britmë që rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve. Nuk kaluan as dhjetë sekonda dhe aty, m’u përpara burrit dhe gruas, u shfaq një barelë me një grua, e cila po lëshonte ulërimat e lindjes. Infermierët po e ngisnin me shpejtësi barelën dhe…

– Ku po shkon zemër? – u dëgjua zëri i burrit duke prekur dorën e gruas së tij, e cila mori hapat për t’iu vënë nga pas barelës.

Ajo e shkëputi dorën e tij si me forcë dhe vazhdoi me të sajën.

U bë pjesë e dhomës ku gruaja tjetër po lindte fëmijën e saj. E zuri një nevojë e menjëhershme për të qarë. Shikonte gruan që po luftonte me të gjitha mënyrat për të sjellë fëmijën e saj në jetë, në mes të atyre të bërtiturave, vuajtjeve, dhimbjeve, një krijesë e re po vinte në botë duke shembur të gjitha muret dhe kështu jeta lulëzonte…

– Të lutem, zonjë, nuk mund të rrish këtu! – iu drejtua asaj një infermiere, e cila e shoqëroi për te dalja e dhomës.

U vendos në korridorin e gjatë, preku lehtë barkun e saj dhe ndjeu goditjet e vogla të foshnjës që mbarte brenda vetes. Nisi të qante e të qeshte, njëkohësisht.

– Zemër, ja ku qenke! – tha burri duke u bashkuar me të. – Eja, sepse po na pret doktori.

– Jo, nuk dua të rri më këtu. – tha ajo duke befasuar personin që kishte përballë. – Ne nuk mund t’ia bëjmë këtë gjë djalit tonë. Përse dreqin na sollën këmbët në këtë vend?

– E kemi diskutuar dhe mbrëmë këtë gjë dhe kemi rënë dakord që…

Ajo e la të fliste vetëm dhe u nda sërish nga ai. Kësaj radhe mori drejtimin për jashtë. Ai e ndoqi, por ajo mori shpejt një taksi dhe kështu mori rrugën për t’u kthyer.

Nuk kaloi shumë kohë dhe në shtëpi mbërriti dhe ai, i tensionuar për veprimin e papritur të saj. E gjeti në dhomën e ndenjjes. Vajzat e vogla po bënin në qoshe detyrat e shtëpisë, por i njohën fare mirë fytyrat e trishtuara dhe tensionuara.

Burri hyri brenda duke përplasur derën dhe kjo gjë i frikësoi vajzat.

– Princeshat e mamit, përse nuk dilni të luani jashtë? – u tha nëna vajzave. – Sot është koha diçka më mirë.

Të tria i lanë librat mbi tavolinën e vogël dhe u larguan pa lëshuar zë.

Brenda asaj dhome, ku për disa çaste të vogla heshtja zuri vendin kryesor, ndodheshin ata… dy prindër me një plagë të trishtë në shpirtrat e tyre. Lotët pikonin, ndonëse ishte e vetmja melodi që shoqëronte sfondin e atij momenti.

– Më fal… – tha ajo lehtë. – Nuk mundem… nuk duhet… nuk dua t’ia mohoj jetën fëmijës që po lufton brenda barkut tim. Duhet ta kuptosh zemër… të lutem!

– Po për vajzat ke menduar? – pyeti tjetri duke qarë thellë. – Çfarë do të bëhet me to? Do t’i lësh të rriten pa dashurinë e nënës, për të cilën kanë kaq shumë nevojë? Ku do t’i gjejnë këshillat e tua kur ata të rriten? Çfarë do t’i duhet një vëlla… nëse ti u mungon atyre?

Ajo i dha atij një shuplakë të befasishme, ndonëse zemra po i dridhej për veprimin e bërë.

– Kemi kaluar gjithë ato gjëra në jetë dhe ti guxon të thuash këtë gjë, për gjakun tënd, për një qenie njerëzore që nuk ka faj për asgjë dhe ashtu si gjithë të tjerët, meriton të jetojë, të shohë diellin që ndriçon, kur ditë si e sotmja nuk janë prezente!

– Të lutem, mos më lër vetëm! – iu përgjërua burri duke iu gjunjëzuar. – Ti je gruaja ime. Mirë e the, kemi kaluar shumë gjëra së bashku, por mos më lër… jo tani. Nuk më intereson të kem fëmijë tjetër. Le të mos jetë e mundur që të ngelësh përsëri shtatzënë. Kemi tri vajza, ato janë tonat dhe do përpiqemi të jemi një familje e lumtur… me ty pranë.

Ajo nisi të qante me zë, edhe ai po ashtu. Tentonin të thoshin ndonjë fjalë, për të prishur atë çast dobësie, por jo, lotët e bënin të pamundur atë gjë.

Edhe vajzat filluan të qanin, duke dëgjuar çdo gjë pas derës. E kuptuan situatën dhe u përqafuan të tria duke ndier dhimbjen e papërshkrueshme të prindërve…

Ditët po kalonin njëra pas tjetrës. Në atë shtëpi dëgjoheshin që nga jashtë britma midis burrit dhe gruas. Vajzat strukeshin diku në qoshe. Nuk thoshin asnjë fjalë, veçse vuanin në heshtje shkatërrimin e dalëngadalshëm të familjes së tyre. Gjërat arritën kulmin kur ai, babai i asaj shtëpie, mori gjërat e tij dhe u largua, ndonëse zemra po i digjte duke lënë vajzat dhe gruan… aty, të vetme.

– Babi iku, na la vetëm. – tha duke qarë vajza më e madhe, së cilës zemra po i dilte nga kraharori, ndërkohë që gjendej pranë shtratit të së ëmës, ku kjo e fundit kishte disa ditë që qëndronte aty.

– Mos qaj, zemra e mamit. – i tha nëna me zërin e saj ngushëllues, të ëmbël, ndonëse forcat po i shteronin pak e nga pak. – Mendo më mirë për vëllanë e vogël, që do të vijë këtu mes nesh. Përfytyro si do jetë buzëqeshja e tij. Ti dhe motrat e tua do ta doni e do të kujdeseni shumë për të, apo jo?

– Po, mami. – tha vajza duke puthur të ëmën. – Por ti, do bëhesh më mirë?

Gruaja nuk bëri zë, por vajza dalloi teksa asaj i dridhej buza në heshtje.

Koha iku. Nuk donte t’ia dinte. U bë plot një muaj që tri vajzat kishin pritur çdo ditë, me sytë nga dritarja, nëse babai i tyre do të kthehet. Askush nuk ishte shfaqur tek ajo derë, përveç motrës më të vogël të mamasë së tyre, e cila kalonte pasditeve me ta pjesën më të madhe të kohës, ngaqë ajo familje kishte nevojë për ndihmën e saj.

Ishte natë dhe gruaja me barkun tashmë të fryrë po qëndronte jashtë, aty ku flladi i freskët i natës lëvizte harmonikisht flokët e saj. Pa qiellin plot me yje. Disa më të largët, disa më të afërt, por vetëm njëri shkëlqente më tepër dhe dukej sikur po vinte drejt saj.

– O Zot, çfarë do të bëhet me fëmijët e mi? – tha ajo në heshtje. – Më fal nëse jam e dobët dhe s’mund të mos mërzitem, por nuk dua t’i lë…

Ashtu duke soditur yllin më të shndritshëm, hyri brenda dalëngadalë…

 

***

 

Barela po ecte me shpejtësi përgjatë korridorit. Gruaja e re hodhi sytë përqark dhe vuri re diku larg, në fund të atij korridori të gjatë, tri vajzat të shoqëruara nga tetoja e tyre. Ajo ngriti dorën për t’i përshëndetur ato, dhe shpirti po i vajtonte mjerisht përbrenda.

Në momentin që infermierët ishin gati për të futur brenda në dhomë barelën, aty u shfaq papritmas figura e një burri, i cili preku duart e gruas, e cila po humbej gradualisht.

– Më fal, zemra ime! – tha ai duke puthur buzët e saj. – Unë… u tregova i padrejtë… u përqendrova vetëm te frikat e mia, por humba lumturinë pranë teje, duke mos të të qëndruar pranë atëherë kur ti kishe më tepër nevojë për mua.

E ndali me forcë barelën, ndërsa kishte ulur kokën dhe qante me zë.

– Jeta na vuri në provë, por… unë humba, nuk qeshë i aftë të luftoja së bashku me ty. – shtoi ai, ndërkohë që një infermier u mundua t’i shpjegonte se ai duhej t’i linte ata për të proceduar me lindjen.

– Më fal, zemër! – tha ai dhe duart e tyre u shkëputën njëra prej tjetrës.

Ajo i dha një buzëqeshje të ëmbël, si kishte bërë gjithmonë dhe pastaj dera u mbyll.

5 minuta, 10 minuta, 20 minuta, 30 minuta, 1 orë… u hap diku një derë. Burri kishte fjetur. Pranë tij gjendeshin tri vajzat dhe tetoja e tyre. Edhe ato duke fjetur. Dikush e preku lehtë në sup burrin dhe ai hapi menjëherë sytë. Ishte një doktor. Burri u ngrit shpejt në këmbë, por doktori i dha dorën në shenjë respekti.

– Më vjen shumë keq! – tha ai me zë serioz e të matur. – Ishte rast i humbur, gjithsesi. Të rroni vetë dhe me jetë të gjatë djalin!

Një vorbull ndjenjash të ndryshme rridhnin në atë moment, disa ishin pjesë e hidhërimit të thellë, të një ndarjeje mizore, ku copëza kujtimesh të vjetra, të paharrueshme shoqëronin ikjen e personit që ai kishte dashur më shumë, kujtime që aty do të ishin gjithmonë. Nga ana tjetër gjendeshin ndjenjat e gëzimit të një ardhjeje të mrekullueshme, dhe sidoqoftë, ai ishte përsëri baba.

Doktori e dërgoi në dhomën ku dëgjoheshin të qarat e një foshnje. Burri po qante, por tani ato ishin lot gëzimi. Fëmija ishte aty, plot jetë, simbol i fitores mbi ato mure vuajtjesh, që tashmë ishin të shembura… por, mungesa e nënës do të ishte një mur, me themele të pashkatërrueshme…

Posto një koment