Prozë

Kodi 16-12

 

Hipoteza të paqena

 

Dashuria

Të pretendosh se jeton gjendjen e “të dashuruarit” më tepër prej nevojës për t’u ndier e tillë, sesa nga ajri që në të vërtet të mbështjell. Këtu nuk bëhet fjalë për një pamundësi të dashurisë (ti dhe unë përballë mbase duke u puthur, edhe pse puthja s’më bën ta ndal realitetin dhe të thellohem në veprim) sesa vazhdimësisë së asaj gjendjeje të dashuruar. Ky bashkim trupash i momentit më vjen edhe si një tjetër fakt i realitetit bosh, mbase i krijuar nga iluzione që nuk kanë lidhje me shkakësinë e vërtetë të tij sesa duke mbetur thjesht një abstragim. Ende s’e ke kuptuar çfarë po mundohem të të them? E pra, ti je atje e unë jam këtu, një hapësirë e vogël e mbushur nga shikimi. Dy qenie në dy trupa të ndryshëm, që pretendojnë të jenë një i vetëm dhe kësaj i kemi vënë një emër duke e quajtur dashuri. Por, a e ke pyetur vallë veten përse dashuria paska ndalur te ne? Nëse këtë do ta merrnim për një rastësi fatlume dhe do ta quanim veten me fat, falë saj, a nuk është ky një argument se njeriu ka nevojë për gjëra të pashpjegueshme në mënyrë që të ndihet i mbivlerësuar dhe i rehatuar me veten e për të vazhduar një rrjedhë, e cila nuk është asgjë tjetër veçse boshllëk. E nëse ti më thua se dashuria ka mbirë te ne të dy, kjo më frikëson dhe më bën dyshuese edhe më tepër. Nëse vjen si rezultat i boshllëkut të qenies sime dhe unë jam përmbushur te ti, a nuk është në thelb një hipokrizi dhe ajo ndjenjë e ëmbël, që në të vërtetë lidhet me veten, me dëshirën që më jep prezenca jote? Dhe e gjitha merr kuptim, sepse unë në vetvete marr kuptim për gjërat që qenia ime ende s’mund t’i arrijë, sepse jam hapa larg nga ti, por kjo nuk është dashuria! Edhe më keq do të ishte nëse më krijon ti, nëse me vetëdije do më bësh të ndihem e përmbushur, diku më ke njohur se si më funksionon qenia dhe lufton me armët e mia për t’më pasur. Por, më thuaj, nuk është dashuri për veten e gjitha kjo? Nuk po flas për rrjedhën, që ti dhe unë pranojmë ose jo, për dobësitë e njëri-tjetrit, për mbështetjen, respektin, mirëkuptimin. Kjo është të dish të sillesh, është shumë e thjeshtë. Unë po flas për gjenezën, si lindi, si u krijua. Mos më thuaj që dashuria është thjesht një akumulim injorance, se në thelb s’kuptojmë ç’duam për veten dhe gjejmë dikë që di paksa më shumë se ne? E ndërsa të shoh ty përballë, mbase dëshira për mua duket si mbivlerësim i vetvetes për të qenë diku i dobishëm, dhe kjo të ndjell gjendjen e epshit. Pra, ky është njeriu dhe bota, një boshllëk i mbushur me sfidë mendimi?! Hipokrizi…

Posto një koment