Iluzion…
Nuk është as qielli e as toka ajo që e fsheh të ardhmen tënde. E ardhmja jote është përtej ujit, aty ku vëren kanionin tënd të ëndrrave; aty ku mund të vëresh në realitetin me fllad rrëqethndjellës; aty ku pasqyrohet e vërteta jote; aty ku retë luajnë me vegimet e të vdekurve dhe aty ku një njeri i fshehur mirë brenda një bulbe uji të tregon udhën tënde… Nuk kish të vërtetë më të madhe se kaq, por në momentin e parë kur ktheve kokën pas për të vërtetuar se qe një realitet i prekshëm, aty, aty… Humbe.
Nuk humbe realitetin e flladit të erës, që tund dhe shpien tutje kanionin e jetës tënde të pasqyruar në sipërfaqen e një liqeni pa dallgë… Ku të vetmet dallgë janë ato të krijuara nga breshkëzat e ujit që të thërrasin t’u vesh pas, a ato të peshqve guximtarë që çajnë sipërfaqen e ujit për t’u njohur me një realitet mbase aq shumë të ëndërruar sa dhe unë ëndërroj për të tijin, por me një bindje të ditur se asnjëri nga ne nuk ia di të metat e realitetit që e pret; ndaj dhe unë kthehem pas në realitetin tim me frikë sikurse ai sërish dergjet drejt sipërfaqes i zhgënjyer për kohën fare të vogël të harxhuar në realitetin aq shumë të dëshiruar, nga i cili unë po mundohem të gjej një mënyrë për t’u larguar…
Dhe ti serish… Humbe.
Po, po humbe, humbe pas atij peshku të mallkuar dhe asaj breshkëze të bekuar…
Ndërkohë që itinerari i bashkudhëtarit tënd të vetëm nën atë sipërfaqe që aq shumë u dhe për ta kaluar gjendet tani nën mjegullën e reve, që reflektuan te ti këtë mirazh…
Thonë që mirazhet janë iluzione, por nuk ekziston një fjalë e këtillë në fjalorin e botës tënde alkimike. Iluzion… Do dijë vallë ai peshk, ajo breshkë a bashkudhëtari im i fshehur të më ndihmojnë të gjej kuptimin e vërtetë të kësaj fjale.
Dhe që thua ti, bulëza e ujit së bashku me udhëtarin tim u zhduk. Mbase u zhduk për t’më treguar se qenësia e tyre s’do më çonte më tej dhe më bënë të shoh aq me vëmendje sa të kuptoj se më duhet që dhe këtë udhëtim ta përshkoj e vetme.
Më bënë gjithashtu të kuptoj se duhet të shikoj në thellësi të kthjelltësisë se largësia të humtis e të gremis. Megjithëse, thellësia gjendet më thellë se largësia dhe është një greminë akoma më e thellë se ajo. Kam një besim të palëkundur se së bashku me peshkun e breshkën e mbi të gjithë e gjithçka me bashkudhëtarin tim bulbëzak, do ta gjejmë udhën për të kaluar nga balta e qiellit në rrezet e dritës, që përçajnë thellësinë e kaltër të ujit, të po këtij qielli. Dhe kur të kuqtë e gjaktë të dergjen mbi liqen dhe kur errësira e humnerës së largësisë të depërtojë në palcën e qenies së metamorfizuar nga alkimia e botës së vëzhguar atëherë do qëndroj…
Të jetë vallë e tëra fantazi? Këtë vërtet që s’e di, por di që aq më shumë e njoh, aq më shumë dua të largohem nga ajo që të tjerët pandehin të jetë realiteti…


Posto një koment