Kategoria Prozë ose tregim i shkurtër 2017

Kodi 15-20/ 2017

Selma 

 

Kjo histori që do t’ju tregoj tani, ka ndodhur në qytetin tim. Bëhet fjalë për këtu e njëzet e dy vjet më parë.

Unë isha ende një fëmijë i parritur mirë, që shkonte pas fustanit të nënës, a futesha poshtë nën batanije, kur gjyshja tregonte histori të moçme me bajlozë.

Ishte drekë. Porta e shkollës u hap dhe unë e Selma nxituam të dilnim sa më parë. Ne ishim njëkohësisht shoqe banke, por edhe shoqe zemre. I ishim betuar njëra-tjetrës për miqësi të përjetshme, kishim kryqëzuar gishtërinjtë dhe pastaj e kishim mbyllur këtë rit me një përqafim aq të ngrohtë sa kurrë më parë.

Rrallë ndodhte të veçohej ndonjëra nga ne dhe të bashkohej me një grup të dytë në vend që të shkonim drejt e në shtëpi. Atë ditë Selma, më tha se Stejsi e kish ftuar nga shtëpia e saj të luanin së bashku, dhe pasi më përshëndeti me dorë nxitoi hapat. Asnjëherë nuk ndihesha mirë kur e beja rrugën për në shtëpi e vetme, por atë ditë u ndjeva më keq se përherë.

Në darkë mamaja po shtronte tryezën, gjyshja po thurte një triko për ditëlindjen time të afërt, ndërsa unë po i rregulloja flokët kukullës time të preferuar. Trokiti dera. Unë vrapova menjëherë ta hapja. Ishte babai. Ai dukej i lodhur, fytyra e tij ishte e ngrirë dhe e zbehtë, sa dukej si prej dylli. Më futi të dridhurat në palcë. Pasi më përkëdheli pak flokët, pa folur asnjë fjalë hoqi këpucët dhe u drejtua për nga kuzhina. Të gjithë e kuptuan se diçka nuk shkonte me babanë. Por do ishte ai që do thyente akullin duke na treguar çfarë kishte ndodhur.

– Rastësisht takova në rrugë Tahsimin, ai më tregoi për një aksident që kishte ndodhur në shtëpinë e tij. Selmes, teksa luante me Stejsin dhe djalin e tij të vogël Brajan, një xham i mprehtë i ka depërtuar në sy. Ai e kishte çuar menjëherë në urgjencë, por sipas mjekëve dëmi kish qenë aq i madh, sa nuk ishte e mundur të shpëtohej syri.

Përfytyrova Selmën pa njërin sy dhe, ndërsa në vesh më gumëzhinin ofshamat e nënës, gjyshes, pashë që gjithçka rreth meje filloi të errësohej. Kisha humbur ndjenjat.

Selma nuk erdhi për një kohë të gjatë në shkollë. Ajo nuk mund ta shikonte së pari vetë fytyrën e saj, e jo më të përballej dhe me kuriozitetin apo talljen e shokëve. Edhe pse prindërit kishin kontaktuar mjekët më të mirë për t’ia sjellë sërish pamjen e bukur bijës së tyre, kjo gjë nuk kishte qenë e mundur. Selma do mbetej përgjithmonë vajza me një sy.

Unë isha e vetmja që ajo lejoi të kishte sërish kontakte dhe të rrinte me të. Me kalimin e kohës ajo filloi ta largonte dhimbjen e shumtë dhe ta pranonte realitetin e hidhur. Ajo rriti flokët dhe kujdesej shumë që nga ana e syrit të dëmtuar, flokët mos të hiqeshin asnjëherë nga fytyra. Unë u mësova me pamjen e re të mikes sime, sa erdhi një kohë kur, nuk e kujtoja dot ditën kur ajo kishte pasur dy sy.

Adoleshenca trokiti edhe tek unë një ditë të bukur. E ndërsa unë kuptoja se një sërë ndjenjash të reja kishin lulëzuar bashkë me hormonet tek unë, Selma më ngjante me vajzën ku adoleshenca kishte harruar të vinte. Sa herë që, me entuziazëm do t’i tregoja fustanin që kisha veshur, a për ndonjë pëlqim të radhës, ajo me një fytyrë që shprehte hapur pakënaqësinë do më thoshte:

– Nuk të shoh mirë Amantia, më duket se po të hypën vetja shumë në qejf këto kohët e fundit.

E merrja me të qeshur, ndonëse e ndieja krisjen që po pësonte miqësia jonë, prej mospërputhjeve të shumta që po lindnin midis nesh.

Në atë kohë, nuk kishte telefona, e vetmja mënyrë që unë të komunikoja me Selmën ishte, të shkoja në shtëpinë e saj, e cila shtrihej buzë rrugës e ngjante me një shtëpizë të bukur kukullash. E rrethuar nga çdo anë me vreshta dhe gjelbërim, merrja shumë kënaqësi kur luaja aty. Atë ditë, mamaja e saj Roza, më tha se do bëja mirë të mos vija më nga Selma. Ajo kishte zënë një shoqe tjetër dhe nuk kishte dëshirë të më takonte më. E ndjeva trishtimin në fjalët e saj, por më shumë më kaploi një habi, pse gjërat midis meje dhe mikes së ngushtë kishin rrjedhur në këtë mënyrë? Ndarja me Selmën ishte goditja më e fortë që më dha ky qytet. Ndaj nuk e doja më. Në çdo rrugë ku kaloja, më dilte përpara syve Selma. Ndieja se ajo do më shfaqej ndonjë ditë, rrugës teksa shkoja në shtëpi, dhe do më thoshte se gjithçka ishte një rreng i bukur. Ajo nuk e kishte braktisur vërtet shkollën dhe se ishte kthyer sërish për të vazhduar shoqërinë tonë.

Por jo, Selmën nuk e pashë më kurrë, dhe askush nuk foli më për të.

Prindërit menduan se të jetuarit diku tjetër, jo vetëm do më bënte mirë për ecurinë time në mësime, por dhe do më krijonte mundësinë të njihja miq të rinj. E në të vërtetë ashtu ndodhi. Me ikjen time në një qytet të ri, fitova ndjesi të reja, përjetova eksperienca të ndryshme dhe zura shumë miq. Por asnjëherë nuk e largova prej mendjes miken time të vjetër. Çfarë mund të kishte ndodhur vallë me të? A ishte e vërtetë se ajo ndihej më mirë me miken tjetër që kishte zënë? Kush mund të ishte ajo vallë, që kishte arritur të zinte vendin tim? Ne, ishim betuar për miqësi të përjetshme, si Selma e harroi kaq lehtë paktin tonë?

Sot, pas dhjetë vjetësh isha kthyer në qytetin tim për të marrë edhe këto përgjigje.

Në shumë gjëra ky vend ngjante i tjetërsuar. Si në vilat e hijshme që kishin zëvendësuar shtëpitë e dikurshme prej qërpiqi; si në avllitë e larta prej betoni, në vend të gardheve që u krijonin me kallamishte, apo rruga që dikur nuk ishte veçse një vazhdim dheu me gropa dhe kthesa ishte shëndrruar në një kalldrëm të bukur. Për fat, vetëm pemët nuk ishin tretur plotësisht në këtë qytet. Dikur ato kornizonin fushat e gjera të punuara me kujdes, majë të cilave mbretëronin lulëkuqet. Ndërsa sot, në këto fusha vetëm në disa vende kishin lulëzuar lulet, ndihej aromë rrushi i porsapjekur apo manaferra rebele që të zinin rrugën. Mbizotëronin, kryesisht, ndërtesa të jetësuar në çimento, gjeneratorë që ulërinin çjerrshëm, e pak qenie njerëzore që nxitonin hapat teksa shkonin në punë.

Ndër ta, pikasa dhe xhaxhi Tahsimin, babanë e Stejsit, shoqes së fëmijërisë. Ishte kërrusur kaq shumë. Gati-gati nuk isha e sigurt në ishte ai teksa e përshëndetja. M’u kujtua rinia ime dhe ky burrë shkurtabiq, me bark të kërcyer, që do na falte gjithmonë kumbulla nëse na shihte në rrugë. Ah, sa shumë e donim xhaxhi Tahsimin, edhe pse gjithmonë na përsëriste si të pastronim rrugën prej gurëve të mëdhenj, apo si të mos shkelnim mbi fidanët e porsambjellë. Dimrat e shumtë e paskan thinjur. Të tillë janë ata në këtë qytet, dimra të gjatë dhe të ashpër, në dallim nga pranverat që duken sikur shkurtohen a mplaken rrugës.

I kisha rënë qytetit mes për mes, dhe po e shijoja pa masë këtë ditë të bukur maji.

Diçka më bëri përshtypje.

Ngadalësova për një çast hapat. Atje buzë rrugës, dallova siluetën e një femre. Për një çast më ngjau si një endacake, prej teshave të saj tejet të lodhura, të dala boje dhe që ishin kombinuar aq keq. Ajo i mbante duart e kryqëzuara në gjoks, me një qëndrim që kurrsesi nuk ngjante se ishte aty për të lypur diçka. Më shumë do të thosha se ajo po priste dikë. E sa më shumë i afrohesha, aq më mirë e dalloja fytyrën e saj. Atë fytyrë ovale, e mbuluar nga flokë të gjatë e të ashpër, që dukej që nuk ishin trajtuar prej kohësh. Por do ishte ai fragment, në të qindtën e sekondës kur sytë e mi u ndeshën me të sajat. Asaj i mungonte njëri sy. E njoha ishte ajo, Selma.

Nuk mund ta besoja që Selma të kishte ndryshuar kaq shumë. Gjithçka kishte pasur dikur; flokët e lëshuar si mëndafsh, belin e këputur që ngjante aq bukur në veshjet e saj, ajo nuk i kishte më. Ajo qëndronte ashtu si e mpirë buzë rrugës dhe as për një çast të vetëm nuk i shkëpuste sytë prej saj. Pashë që nga pas i erdhi një zonjë në moshë, që i futi krahun dhe e ndihmoi të kalonte rrugën. Ishte zonja Roza, sa kishte rënë dhe ajo, vitet paskan bërë të tyren.

U bëra keq nga gjithë ajo që pashë, por malli dhe kurioziteti për të mos ikur pa e takuar Selmën këtë radhë, më bënë të nxitoja hapat për ta arrirë.

– Selma, – thirra, kur pashë që afërsia jonë u bë më e shkurtër.

Roza ktheu kokën menjëherë nga erdhi zëri, Selma pak më vonë, por dukej aq indiferente sa të jepte përshtypjen se nuk po e kuptonte aspak kush isha unë që e thirra.

– Amantia, ti je vërtet xhan? – tha Roza, me një zë të përmalluar e duke hapur krahët për të më përqafuar

E përqafova dhe unë me mall, pastaj nxitova të kthehesha nga Selma. Ajo përsëri nuk më përgjigjej.

– Mos u mundo Amantia, nuk do të njohë Selma, u bë kohë që ajo nuk njeh më askënd, – tha Roza dhe, duke ma kapur dorën, më ftoi të uleshim në një stol aty pranë. – E mban mend herën e fundit që erdhe te ne, kur të thashë që nuk mund ta takoje Selmën, sepse ajo kishte zënë një mike tjetër. Nuk po të gënjeja Amantia, ajo më kërkonte të takohej vetëm me Stejsin, dhe më pati rrëfyer që prej kohësh nuk merrte kënaqësi nga shoqëria me ty. Ti ishe shumë e shoqëruar dhe me të tjerë, ndiheshe shumë e lumtur në botën tënde, asaj i dukej se ti nuk e doje më atë. Ndaj u lidh aq ngushtësisht me Stejsin, që siç e di ti ajo ishte një vajzë e tërhequr nga shoqëria. Kishte momente kur habitesha sa shumë u lidhën këto të dyja, ah, sikur ta kisha ditur çfarë po bluante Selma në mëndje. Një ditë ajo më tha se, do shkonte nga shtëpia e Stejsit për të bërë detyrat së bashku. Kishin kohë që shkonin e vinin te shtëpitë e njëra-tjetrës, kështu që e lejova të shkonte, por i kërkova të kthehej pa u errësuar. E di Amantia, atë ditë Selma kishte shkuar për të bërë një gjë të tmerrshme. Ajo nuk ia kishte harruar kurrë Brajanit dëmin që i kishte shkaktuar në fytyrë. Ajo ishte lidhur ngushtësisht me Stejsin vetëm për të kryer hakmarrjen e saj. Atë ditë, në një moment kur të gjithë ishin në holl duke u marrë me njëri-tjetrin, ajo kish shkuar në kuzhinë, kishte hapur gazin për t’i vënë flakën. E teksa Stejsi dhe mamaja e saj tentonin të fiknin zjarrin, ajo kishte nxjerrë nga xhepi një xham të mprehtë dhe e kishte masakruar fillimisht pas shpine Brajanin, duke e kthyer më pas nga përpara për të vazhduar sërish masakrimin pa mëshirë. Ishte xhaxhi Tahsimi që ia kishte hequr nga duart të birin dhe e kishte shtyrë Selmën me gjithë forcën e trupit drejt derës. Më pas kishin ndërhyrë dhe komshinjtë për të shuar zjarrin, por vetëm Selma dhe Tahsimi kishin shpëtuar. Që atë ditë Selma nuk është më e ndërgjegjshme për asgjë. Këtë histori e mora vesh, një natë teksa e tregonte në gjumë dhe dridhej. Unë isha zgjuar, si çdo natë në jetën time tanimë. Ajo është shndërruar në kërcënim edhe për ne, agresiviteti i saj mund të kontrollohet vetëm me qetësues. Ne nuk dimë më, të lexojmë në mendjen e saj, kushedi çfarë i thotë ajo, dhe unë e ëma nuk jam në gjendje të bëj asgjë për ta ndihmuar. Nuk di si ta nxjerr nga kjo botë e errët dhe e frikshme që ka hyrë.

Ndjeva të më rrëqethej mishi nga gjithë kjo histori përtej njerëzores, gati-gati e pabesueshme. E teksa Roza, fliste për dhimbjen e saj, e vetmja gjë që mendoja ishte Brajani i vogël, që masakrohej pa mëshirë.

Posto një koment