Më vlerë shpërbleni, ju lutem!
Më idhnon ky qytet. Edhe n’ditët plot me diell. Edhe pse këtu bie veç shi. Sa keq! M’ban me mbush me mllef, t’vetmen gja që ma mban shpirtin t’gjallnuem e zemrën plot jetë… Artin letrar. A e din? T’urrej o qytet! T’ urrej ashtu si dashninë e parë, kur të shket prej duerve e kalon n’duer të huaja. Apo ashtu siç ata njerëz t’pavendosun a tekanjozë, që t’veshin e t’flakin si nji k’mishë t’vjetërume. T’mallkoj, se ma nxive kujtesën. Ma hodhe poshtë emblemën martesore të prindërve t’mi. Më thuej, kujt t’i kërkoj llogari?! Kujt t’i vë faj?! Prindërve t’mi që ma mësuan botën të rrumbullakët, apo ty që e bëre atë një drejtëz që s’ka fillim, as përfundim, në ndryshim e sipër, ama gjithmonë duke ec në një drejtim të vetëm, në dukje pa kthim.
Kujtoj dashni t’sinqerta bardh e zi, miqësi t’pavdekshme, të veshuna me çiltërsi. Ama, s’të mjaftoi! Doje të sillje ngjyrat, doje të zhvisheshe. Ja ku të çoi kjo drejtëza jote. Dëgjo tani, se ç’je për mua, moj e mjerë.
Je: shoqni e kalbun gjer n’palcë! E kamuflume n’mentalitet. E mykun në çdo sens. Fundos vetveten me moral e rregulla, që nuk zbatohen. Thëngjill i mbuluar, e etur për shthurje. Ah… je kaq e pabesë! Urren botën, por je ma keq! Më thuej, çfarë t’ka mbet nga vlerat dhe principet që fort i ke m’shue?! Ku asht dashnia që ke pasë?! Që kur seksi u ba kaq i lirë, dashnia u ba kaq e shtrenjtë… E fajtore je veç ti, moj shoqni e kalbun gjer n’palcë dhe e kamuflume n’mentalitet!
Unë, nji shpirt i brishtë poetik, e rrethuar nga shpirtra t’etun kanibalë. O qytet! O shoqni! M’keni vrarë ndjesitë e m’keni thyer kujtesën… padrejtësisht! Më vlerë shpërbleni, ju lutem!

Posto një koment