Kategoria Prozë ose tregim i shkurtër 2017

Kodi 15-16/ 2017

Banesa me giga

 

Është kohë tjetër dhe banesat janë të tjera. Nuk ngjajnë aspak me shtëpitë, me tullat që rrëndojnë djersë e mund baballarësh. Një banesë virtuale, dydimensionale, që ka shumë fotografi dhe një personazh. Fotografia është muri, është dritarja, është gjithçkaja. Personazhi është aq sureal, sa të jetuarit në të është përtejsurreales. Një kombinim midis shtirjes dhe kopjes së vetvetes që synohet, një pështjellim ndjenjash që s’i ka dhe atyre që mendon t’i ketë. Thjesht një jetë e jetuar “sikur”.

Ajo banonte në facebook. Banesa kaltëroshe me një logo të madhe të shkronjës F., dizajnuar bukur, e përdorur gabimisht. Kishte lindur në një profil. Jeton edhe sot e kësaj dite aty. Kalendarin e jetës e mat me ndryshime të fotografisë. Aty e zinte gjumi, si një e përhitur. Zgjohej vetëm me ndonjë poke’ të ndonjë djali të pashëm.

Jetonte virtualisht. Ikur nga realiteti, nga mungesat, nga prekja e dorës, nga nënkresa mbushur me ëndrra, nga kafeja e pirë miqësisht, nga dalja në qytetin me ajër të ndotur. Zvetnueshëm, harrueshëm, por lumturueshëm në sojin e saj të rrallë.

Banesa e saj kisha aq metër katror sa kishte miq. Kishte dhe ca territore të palegalizuara, që i mbante në të zezë dhe çuditërisht i kontrollonte edhe ato. Administronte mirë edhe me ato hapësira të vogla ku ruhej një moral i rrejshëm. Gjithçka qe e saja. Sovrane e llojit të vetë. Bënte pushtetin me fotografi. Fotografitë që postonte shpesh i përdorte në vend të fjalës. Një foto sa një fjalë. Nxirrte buzë, këmbë, bukë të lyer më nutela, thonj të mprehtë që mund të të bëjnë atë pentagramin më të bukur në një shpinë burri, peshqirë të bardhë si e kundërta e fati të saj, lot që rrejshëm bien, thjesht dilte bythe krye. Fotografia qe gjuha me të cilën ajo kishte vendosur të komunikonte me botën. Një alfabet tipik polisemik. I thoshte botës dhe syve kureshtarë, jam si ajo bukuroshja e fjetur e Kavabatës, me shihni por s’mund të më prekni. Jam e largët. Mund vetëm të puthni ekranet e mua jo. Me fotografi krijonte një fasadë, ku prapa fshihej një moral i rrejshëm. Në banesën e saj dydimensionale jetonte mes like-sh e coment-esh. Ushqehej me shikimet e botës dhe fryhej. Jetonte mashtrueshëm. Me kopje të vetvetes arnonte fotografinë e madhe prej puzzle të qenies së mirëfilltë të saj. Banesa në facebook qe vendi i fundit ku u fsheh. Sepse rrugëve kishte lënë kujtimet prej njeriu. Në rast mungese të rrjetit të interneti, e kaplonte njëra nga ato vetmitë sfilitëse. Kureshtja e madhe se kush i ka shkruar, çfarë ka thënë, si e ka komentuar filania, sa like ka mbledhur, a jam më e bukura në një konkurs bukurie që matet me like, sa më duan, dhe pyetje të tjera, që shumëfishohen më numrin e gigave të internetit.

Sot ka mjegull, linja e internetit është e dobët, ajo qan.

Posto një koment