Aktivitete të përditësuara Libri

Promovimi i romanit të ri të shkrimtarit Odise Kote “Ura e Margaritës”

Instituti i Librit dhe i Promocionit në bashkëpunim me Unionin e Gazetarëve Shqiptarë zhvilluan sot paradite në sallën Unesco të Muzeut Historik Kombëtar, promovimin e romanit të ri të shkrimtarit Odise Kote “Ura e Margaritës”.

Referuan në lidhje me këtë roman dhe risitë e tij, studiuesit Jorgo Bulo dhe Behar Gjoka, gazetari i mirënjohur Aleksandër Çipa, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar M. Labi.

Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet të parë kushtuar këtij libri, deputetët Valentina Leskaj e Fatmir Toçi, ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erion Velia, kryetari i Bashkisë Gjirokastër Flamur Bime, akademiku Vasil Tole, drejtoresha e shkollës “20 Vjetori” Lumturie Vladi e shumë shkrimtarë, studentë e nxënës .

“Një nga veçantitë e letërsisë që shkrimtari Odise Kote lëvron janë qytetet që ai zgjedh për t’i vënë në qendër të romaneve të tij. Berati dhe kodikët e purpurt në kontekstin e Luftës së dytë Botërore kanë qenë tema kryesore e romanit të mëparshëm të tij “Betimi i rremë”. Dhe Gjirokastra me legjendat dhe historitë njerëzore të papërsëritshme që ka prodhuar gjatë historisë së çuditshme të konvertimit të fesë nën trysninë e pushtuesit otoman, është sfondi i rëndësishëm i romanit të ri “Ura e Margaritës”. Kalaja, pashai, haremi, qyteti i Gjirokastrës me ndërtimet karakteristike e mjeshtërore, Margarita që nuk e pranoi dot Hanushenë brenda saj dhe nuk iu nënshtrua destinës të stisur për të që nga Anadolli i largët, e çmendura me mendje të kthjellët Ifigjenë janë disa nga pikat e forta të romanit “Ura e Margaritës”.

Një roman i shkruar si një poemë me vargje homerike dhe një rrëfim me ngjyresa të kohës dhe të folmes së qytetit karakteristik të Gjirokastrës.” Nga Irena Toçi.

Posto një koment

Instituti Libri Promocioni