Aktivitete Aktivitete të përditësuara Të Tjera

U hap në mbrëmjen e 22 marsit në Tiranë Ekspozita e përbashkët e 8 piktorëve ulqinakë të njohur

U hap në mbrëmjen e 22 marsit, në Muzeun Historik Kombëtar, Ekspozita e përbashkët e 8 piktorëve ulqinakë të njohur: Bilal Nikeziq, Edin Kapllani, Gjergj Noc Martinaj (i ndjerë), Jozo Kocoviq, Mersiha Resulbegoviq Mavriq, Naser Hasa, Rudi Goga (i ndjerë) dhe Vahida Nimanbegu. Rreth 50 tablo të teknikave dhe shkollave të ndryshme të këtyre piktorëve do të jenë të ekspozuara deri më 31 mars.
Në ceremoninë e çeljes morën pjesë personalitete të artit dhe të kulturës shqiptare si edhe përfaqësues të rëndësishëm të politikës shqiptare në rajon. Të pranishëm nënkryetarja e Parlamentit shqiptar znj. Vasilika Hysi dhe homologu i saj në Parlamentin e Malit të Zi z. Genc Nimanbegu, zv.ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme znj. Artemis Dralo, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri z. Sylë Ukshini, deputetë të parlamentit shqiptar e atij të Malit të Zi.
Fjalët e mirëseardhjes të dy prej bashkëorganizatorve të kësaj ekspozite Irena Toçi (drejtore e përgjithshme e Institutit të Librit dhe të Promocionit) dhe Dorian Koçi (drejtor i Muzeut Historik Kombëtar) u pasuan nga komentet e kritikëve të artit Abaz Hado dhe Josif Papagjoni.
Rrethuar nga ngrohtësia e mikpritjes dhe atmosfera e gëzuar u ndjenë piktorët e ftuar gjatë mbrëmjes të ndjeshme, të çmuar e të adhuruar për punët e tyre të ekspozuara në sallën e Muzeut Historik.
Ekspozita e përbashkët e 8 piktorëve ulqinakë do të shtegtojë pas 31 marsit në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.
Bashkëorganizatorë të ekspozitës: Instituti i Librit dhe i Promocionit, Muzeu Historik Kombëtar dhe Organizata Turistike e Ulqinit.

Posto një koment

Instituti Libri Promocioni