Një qytet si gjithë të tjerët…
Do të doja të vizitoja shumë vende të botës. Për t’i ruajtur gjithmonë në kujtesë, ndoshta edhe sikur një pikturë në mendje, sikur magji, qoftë për t’u relaksuar pasditeve çlodhëse, shtrirë në shtrat. Apo edhe për të kujtuar kohët e mira kur të jem e mërzitur. Gjithmonë kam dashur të gjej një qytet të madh. Të madh, aq të madh sa do të ma mbushte mushkërinë me ajër, sapo të shkelja me këmbë aty. Për disa është një mendim i hutuar të kërkosh një qytet të madh, të bukur, që të mbush shpirtërisht, dhe do të gjykonin për ëndërrime të kota, se kërkesa të tilla bën njeriu kur do të plotësojë egon e tij për gjëra materiale. Por jo edhe të plotësojë veten duke gjetur këtë qytet!…
Unë e njoha për herë të parë dikur, më saktë në vitin 2009, një qytet kryeqendër e shtetit fqinjë. Jo shumë i madh, si do të ishte “qytetin tim”. Por ishte ai, ai qytet që do të ruante çdo shkelje të këmbës sime nëpër rrugët e tij. Ishte fundgushti, në Shkup bënte shumë vapë, po, pra ishte ky “qyteti i madh”. Sapo kisha zbritur nga autobusi dhe po shikoja rrotull për të dashurin, që po më priste në stacion. Kërkoja rreth e rrotull, ndërkohë që po mendoja se aty nuk flitej vetëm shqip, ose më mirë aty flitej më shumë në gjuhën maqedonase. Ndoshta dija dy fjalë, sa për të thënë mirëdita, faleminderit. Por, kjo s’kishte aspak rëndësi. Në atë qytet, që më vonë u shpërngula për të jetuar. Për të njohur edhe më shumë, çdo rrugë e rrugicë, që do më ngjasonin sikur pjesë të mendjes dhe të trupit tim, që do t’i përkisja atij vendi sikur të isha lindur dhe rritur aty.
Ndonjëherë kujtoj filma të vjetër shqiptarë, se edhe Shqipërinë e kisha njohur nga televizioni, librat dhe tregimet e prindërve mbi vendin që është dhe s’është i joni. Për një qytet që përfshinte nën kulmin e tij edhe vendin tonë. Kujtoj ata filma, bashkë edhe me filmat e vjetër turqisht, më dukej sikur do hyja brenda atyre tregimeve dhe pamjeve, atëherë kur do t’i vinte radha të vizitoheshin. Sepse kujtesa ndërtohet nga dëshira dhe interesi për të ruajtur diçka në mendjen tonë. Kujtesa nuk ndërtohet me forcë, apo me presion nga njerëzit dhe kohët. Ajo rrjedh sikur rrjedh lumi shtratit të vet, pa i bërë përshtypje viteve, apo vendeve ku do të kalosh duke udhëtuar.
Kam përshtypjen se njeriu do të ndihet ndryshe pasi të ketë parë një film të bukur, të një kohe dhe një gjuhe tjetër. Do të ndikohej dhe do ta tregonte këtë, edhe pas dëgjimit të një kënge, e cila do ta kthejë mbrapa në një vend, ku dikur kishte një histori. Dhe lind përshtypja pas gjithë këtyre, se pas çfarë në të vërtetë është njeriu. Pas njohjes së vetes, apo pas njohjes së atij që e ka krijuar. Apo, nëse edhe krejt e kundërta, ai që ka krijuar njeriun, ndjek atë për ta përsosur dhe njohur edhe më shumë. Cilado qoftë nga këto të dyja, do të më nxirrnin edhe mua tek e njëjta temë. E gjetjes së vetes si fillim, mbushjes së asaj që jemi pa u përplasur me shumë ide të tjera që na shpërqendrojnë.
Si çdo vend i ri, që do të shpërfaqë shumë detaje kulturore, të asaj shoqërie, do të ndikonin për mirë apo edhe për habi. Njeriu ndikohet nga gjërat që përjeton, për t’u krijuar dhe formësuar gjatë gjithë kohës në një person me karakteristika të veçanta, të vetëm atij apo asaj. Ato karakteristika që vijnë të ndikuara nga ato fakte, përjetime, kënaqësi e njohje. Ai qytet, që përbënte një trinom, apo edhe më shumë etnitete, brenda tij. Një vend, që provon dhe tenton të tregojë se bashkëjetesa me njerëz që i vënë dallime vetes, përparon për përmirësime duke treguar po ashtu se edhe ngecjet janë pjesë e zhvillimeve.
Por, duke mos lënë asnjëherë anash mundësinë, e cila lë hapur çdo dritare mendimi.
Sikur çdo qytet tjetër, edhe ai qytet sikur i qetë, i zhurmshëm si gjithë të tjerët, do të më nguliste mua, pamje dhe mall në kohën e tanishme. Ku ikur jam tash e dy vjet.
Kur them, qyteti, kujtesa, doemos do të më vijë ndër mend edhe ikja, harresa, mallëngjimi, dashuria, mërzia. Do të më vijë në mend edhe natyra e egër e njeriut, si në kohën e përjetimit të luftës në Kosovë. Atëherë kur shtëpia ime “s’ishte më e imja”, atëherë kur ajo shtëpi s’ishte e askujt, pos e atyre që e uzurpuan. Dhe pastaj për të rikthyer nëpër mend Gjakovën dhe policët që mbrojnë pelegrinët serb në kishat e qytetit, ata qytetarë, të cilët një vend tjetër nuk ua ka kthyer ende trupat e njerëzve të tyre që mund të jen të vrarë, apo edhe të zhdukur pa e ditur se ku. Pa identitet dhe pa mundësi gjetjeje. Dy kontraste të mëdha, për të ruajtur njeriun nga gjykimi i njërës apo palës tjetër. Të njërës që duan ta vizitojnë qytetin e tyre në grup dhe kultet e besimit të tyre, dhe tjetrës që duan të mbrojnë mallin dhe ruajnë mllefin, se pikërisht ata, dikush nga gjeneza e atyre që duan të jenë në atë qytet, u kanë mohuar të drejtën për të gjetur të afërmit e tyre. Në një kohë që ndoshta ishte thjesht shtrënguesja e zhvillimit normal të jetesës.
Njeriu është natyrë kontraverse dhe egoiste përgjithësisht, edhe pse mvesh një pamje të pranueshme për qenien në përgjithësi, gjithmonë do të vijë një kohë që do të nxjerrë në pah diçka që do të jetë kundër një të drejte të tjetrit.
Një qytet sikur të tjerët. Edhe Shkupi, që do të më sillte vërdallë botës, e do të më thoshte sërish, e sërish, pres një njeri që do të njohë shoqërinë e përzierë etnikisht, kulturalisht mbi të gjitha të përfshirë nga i njëjti ajër! Një qytet edhe ai si çdo qytet tjetër, ku kafja pihet në mes të qendrës, por jo shpeshherë ndodh të pihet edhe përreth lumit, siç ndodh përskaj Vardarit. Do të më bëj gjithmonë thirrje për t’u rikthyer aty dhe ashtu siç e kisha lënë ta gjeja përsëri! Duke pritur të takoj edhe komshiun maqedonas, një burrë rreth të gjashtëdhjetave, që më thoshte “shkupjana e vitit”, sepse aty ku kisha shtëpinë aty ish atdheu im, aty ku kisha punën dhe mundin, aty ish atdheu im, pa mohuar se kush ish e kaluara ime!
Posto një koment