Të Tjera

Kodi 17-15/ 2017

Të rrosh apo të mos rrosh në Tiranë? 

 

Shkrimtari britanik, shndërruar në një ikonë të dramaturgjisë botërore, Uilliam Shekspir ka shtruar një pyetje ekzistenciale, e cila ka kuptim thuajse në çdo kohë. Pyetja e shtruar prej tij ka qenë: “Të rrosh apo të mos rrosh?”, ndërsa unë do ta ballafaqoja këtë pyetje që s’ka marrë kurrë përgjigje me realitetin shqiptar, më saktë me atë që zhvillohet në kryeqytet. Kështu, pyetjen në fjalë do ta formuloj: “Të rrosh apo të mos rrosh në Tiranë?”. Po edhe vetë këtë pyetje do ta kisha ndarë. E para ndarje që do të bëja është togfjalëshi: “Të rrosh në Tiranë”.

Të rrosh në Tiranë është komplekse, kryeqyteti i shtetit, por njëkohësisht edhe i kombit shqiptar ka një jetë, e cila zhvillohet kulturalisht, si ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes. Kultura perëndimore ka nisur të hyjë në Tiranën tonë, me kafene ndryshe, me rininë që dëfren dhe një jetë shumë të shpejtë që zhvillohet këtu. Nga kjo pikëpamje, Tirana ngjan paksa europiane dhe se edhe fasadat e saj, paksa rrejshëm, të dëftojnë se je duke kaluar pak kohë ose jetuar në kryeqytetin e një shteti që ndodhet në Europë.

 

Të rrosh në Tiranë do të thotë që të shohësh gjithçka thuajse që e ka sot Perëndimi e duke mos të të munguar thuajse asgjë. Mungon ndonjë tramvaj ose të tilla të teknologjisë së lartë, por ama në pikëpamje të tjera Tirana ka realisht shumë ngjashmëri me kryeqytete të Europës. Sigurisht që nëse pyet shqiptarët e thjeshtë, ata do të thonë se Tirana nuk është asgjë përballë krerëve të qyteteve në shtetet europiane, por mendoj se kjo vjen nga fakti se kanë ushqyer një traditë të inferioritetit ndaj të huajve, deri në pikën sa mendojnë se ambasadorët janë njerëz mrekullibërës. Por me siguri po ta pyesësh një turk se ç’mendim ka për Tiranën, pasi ta ketë vizituar kryeqytetin tonë, do të thoshte se është në Europë, ka kulturë europiane e se është më pranë kontinentit “të vjetër”, sesa vetë Turqia për shembull.

 

Të rrosh në Tiranë, nga ana tjetër do të thotë të jesh në mes të llumit. Po, po, në mes të një llumi moral, që nuk duket, por që fshihet herë nëpër rrugë dhe herë nëpër zyra. Shqiptarët, siç e thashë më lart, sipas perceptimit individual dhe sa kam lexuar, e adhurojnë perëndimin shumë, si një lopë, që kopjojnë në mënyrë të egër, të vrazhdë dhe aspak morale çdo gjë të saj, duke e bërë për vete. Po në çfarë kuptimi e them këtë? E them në kuptimin se Tirana më së pari është një qytet i madh shqiptar, ku ndodhin me shumicë ngjarje shumë të rënda kriminale dhe, me patjetër, që nuk mund t’i shkëputësh krimin e mediokritetin që ndodh në përditshmëri e t’i lëshosh veç në kryeqytet, por se mbetet e rëndë jeta në këtë aspekt. Të rrosh në Tiranë, se këtu veç rrohet e nuk jetohet, është e vështirë. Të rrosh këtu do të thotë që përditë, kur e bën rrugën për në punë dhe kthehesh prej saj, do të të duhet që të kalosh kufoma, ndoshta do të të duhet të kalosh përmes krimit, përmes dallkaukëve dhe të ruhesh kurdoherë, që këmbët e tua mos të jenë pre e askujt, se ke frikë se mos këputen prej nëntokës shpesh të qelbët. Të rrosh në Tiranë domethënë të bëhesh palë me ata që e kanë pushtetin, sepse përndryshe bëhesh viktimë e një kohe që nuk njeh mëshirë.

 

Të rrosh në Tiranë do të thotë që të mund të jesh i fortë, kaq shumë sa të mund të kalosh me këmbët e tua nëpër rrugica, ku shumë njerëz ikin me vrap, largohen dhe marrin me vete edhe ato karroca e mallra që kanë, për shkak se kanë frikë prej policisë, se mos kjo e fundit iu sekuestron qepë e domate, që i kanë nxjerrë për t’i shitur aty në llucë e në llum, në shi e në baltë. Po qytetarët e kryeqytetit kështu veprojnë. Ata ecin përmes këtyre trotuareve duke mos parë dot ata njerëz që janë ashtu, thuajse të këputur dhe me trastë në dorë, që shtrijnë duart e mpira. Sikur të kishte qenë Migjeni gjallë, do kishte përshkruar me dinjitet këtë realitet mjeran. Po Tirana të “ha” përditë, të gropos po qe se ti je njeri me ndjenja shumë dhe i do njerëzit, për shkak se këtu sheh kaq shumë probleme, kaq shumë gjëra që nuk shkojnë si duhet, sa trishtohesh, mbërthehesh nga makthi e stërmundohesh. Po kështu ndihet kushdo që ka ndjenja, por njerëzit këtu e kanë kaluar këtë fazë dhe se secili sheh punën e tij duke thënë shprehjen e famshme: “Bëj çfarë të duash me jetën tënde” apo “çfarë më duhet mua”. E vërteta është se kjo kohë ka ardhur, ku pak ose aspak pyetet për njerzillëk, po secili sheh, ta themi shqip, hallin e vet, në vendin ku t’i japësh dorën dikujt e ta besosh, domethënë ta shohësh sy më sy e prapë mëdyshjet i ke të shtuara. Të rrosh në Tiranë do të thotë të shohësh atë realitet, ku secili mendon për pjesën e vet, si të jetë më mirë personalisht, pa ditur dhe pa pyetur për të tjerët rreth e rrotull dhe kur e bën këtë gjë, thjesht për keqardhje, pa u marrë, për shkak se koha ecën si e marrë, fluturon çmendurisht e njerëzia e vijon vrullin e vet të pandalshëm.

 

Të rrosh në Tiranë do të thotë që të dish që edhe kur të bashkëpunosh me njerëzit, të mos biesh viktimë e lojërave të pista, e komploteve të vogla e të mëdha të një qyteti me lëvizje e jetë të trazuar. Më ka lënë përshtypje një shprehje e një personi në autobus, ndoshta të Unazës, i cili tha: “Ne kot themi jemi popull trim e glorofikime të tjera të ngjashme. Këto janë në libra të historisë. Popull më hajdut e të pabesë se ne nuk ka”. Në fakt, unë nuk dua që ta shaj kombin tim, kombin shqiptar se jam pjesë e pandarë e tij, e fatit të tij në udhëkryq, por kjo është një e vërtetë e madhe që duhet ta kemi vath në vesh. Unë e dua sidoqoftë atë pjesë të popullatës së Tiranës, të Shqipërisë mbarë dhe në daç të Kosovës, të Maqedonisë, të çdo shteti ku jetojnë shqiptarët, që ndershmërisht punojnë dhe me djersë e me gjak mbijetojnë përditë, por nuk dua dhe s’do jem pjesë me krimin, me pabesitë dhe poshtërsitë që bëhen në këtë vend. Në fakt, unë mendoj se ka shumë poshtërsi këtu. Dua të citoj një titull romani të një shkrimtari të ri, që më ka lënë përshtypje, të Darien Levanit “Dopjo gjashta”. Titulli më domethënës për këtë realitet është ky, pasi jetojmë në kohën që punohet për t’i lënë dikujt dopjo gjashtën, ku për fat të keq më shumë “e ha” i dobëti, i pambrojturi, si ndodh nëpër librat e letërsisë, të asaj botërore kryesisht.

 

Të rrosh në Tiranë do të thotë të përballesh me realitetin e zhurmës dhe të smogut. Sapo del nga shtëpia, mos o Zot të jetë shi, se përballesh me baltë, por edhe me një vend, që të duket ndonjëherë sikur toka është përmbysur dhe se je duke jetuar një “jetë të dytë”. Zhurmat janë pjesë e jetës së kryeqytetit. Nuk bën që të dalësh nga shtëpia dhe të mos dëgjosh makineri gjigande që lëshojnë atë britmën e vet, sikur të jenë një kafshë gjigande, që ha njerëz e bërtet sa herë që i hyn një gjemb në këmbë. Pranë shtëpisë sime, sapo dal ndodhen disa fabrika, që janë ato që prodhojnë plastmase dhe të tilla mbetje e mbeturina, e se pluhuri, smogu e uturima që e lëshojnë janë të tmerrshme. Të ngjan ndonjëherë sikur je në një kafaz të madh, ku të kanë hedhur edhe pluhur që mos të shohësh, e ti ke një liri prej disa metrash katrorë por se aty ecën me sytë e mbyllur, pa parë e me shqisa të përçudnuara.

Një skenë të tmerrshme kam parë një ditë. Afër shtëpisë sime ishte një grua dhe një djalë. Si duket, te fabrika e çimentos punonte bashkëshorti i gruas në fjalë dhe babai i djalit të vogël. Fëmija, që nuk e dinte se çfarë është puna, domosdo, nuk e dinte as se çfarë është puna e rëndë, drejtonte gishtin për nga fabrika dhe i thoshte mamasë: “Mami, e shikon vendin e punës së babit” e djali qeshte duke menduar se babai i tij e kishte vend të dashur atë aty. Mamaja e djalit e mori për dore të voglin dhe bëri një fytyrë të dhembshur, me siguri prej faktit se e dinte se puna që bënte bashkëshorti i saj në atë fabrikë tulle e çimentoje nuk ishte e lehtë, por ishte tmerr e kaluar tmerrit, të mbaje thasë me beton, t’i thyeje ata në mes me lopatë, të hidhje çimenton në betoniere, pastaj ujë, vijonte përzierja e me radhë, e gjithë kjo punë bëhej nën ulërima të makinerive të mëdha, që e merrnin mallin prej aty dhe kushedi se ku e çonin për hesape të bosave të mëdhenj të ndërtimit e biznesit. Robërim! Ja çfarë është jeta në Tiranë, përpos edhe ndonjë kënaqësi, por kjo e fundit ndodh sigurisht më shumë me të rinjtë sidomos, me kafene të shumta që pihen, një traditë paksa otomane, por ndoshta e vetmja argëtuese, në një rini e komb të fjetur paksa.

 

Por, e shoh me pesimizëm të jetosh në Tiranë dhe sigurisht që edhe të jetosh në qytete a qyteza e fshatra të republikës sonë është thuajse njësoj si në kryeqytet. Mirëpo, këtu vijnë thuajse të gjithë, e kjo gjë ndodh për shkak se Tirana sidoqoftë është qytet relativisht i madh dhe se ofron shumë mundësi, në punësim sidomos, në kohën që qytetet periferike nga jugu në veri janë shndërruar në vendbanime fantazmë, ku në këmbë ka ngelur veç ndonjë pallat i kohës së Enver Hoxhës dhe zyrat e gjendjes civile, apo Bashkisë a njësisë administrative.

Po këtu dua të them edhe një realitet tjetër shqiptar, që ndodh përtej fasadave të pallateve të bukura e të lyera si në Perëndim. Shqiptarët janë të varfër dhe aq shumë vuajnë, sa ato halle e probleme që kanë, i flasin me njëri-tjetrin, marrin e japin borxhe me njëri-tjetrin, e tashmë së fundi janë edhe duke ikur jashtë Shqipërisë te të afërmit më shumë, ndonjë vëlla, dajë a motër që të mundë t’i mbajë, pasi vendi ynë ka hemorragji cerebrale, thuajse. Shqiptarët këta janë, mbyllur në vetvete dhe në atë vetmi duhet të përballojnë një mijë halle që kanë e shpesh ka gjasa iu bie tavani në kokë, në një vend shumë të kriminalizuar.

 

Në fakt, kur shoh lajmet dhe dëgjoj se filani e fisteku u kap me drogë apo duke vjedhur në Greqi apo në Itali, kriminelë janë sigurisht, por se jam njerëzor them në atë se edhe këto afera të pista, të ndyra, shqiptarët nuk është se i bëjnë se ashtu iu është shkrepur në kokë, i kapi një 5-minutsh dhe hajde se po vjedh. E vërteta tragjike është se shpesh edhe detyrohen të merren me drogë, me hashash, me krime të tilla, pasi varfëria dhe pamundësia është shumë e madhe. Duke qenë ky realitet, edhe dashuria mungon, realisht shumë e këtë gjë e imponojnë edhe kushtet, për të qenë realist, të ndershëm dhe të drejtë me çka ne shohim përditë.

I thashë të gjitha këto probleme që ka jetesa në Tiranë. Sigurisht që ka edhe ndonjë të mirë jetesa në kryeqytet dhe i përmenda, por se mua më ngjan se e mira me atë të rëndën e të keqen janë si pikat e ujit në oqeanin e pafund. Duke mos pretenduar se kam thënë gjithçka nga realiteti tiranas, por ceka ato problematika, që mua më duken më të mprehta, jam duke dalë në përshkrimin e togfjalëshit: “Të mos rrosh në Tiranë”. Duket togfjalësh paksa i çuditshëm. Në fakt, e kam fjalën se nëse nuk jeton në Tiranë, me siguri që nuk të nxihen mushkëritë kaq shumë sa atyre që jetojnë në kryeqytetin e shqiptarëve dhe nuk do të përjetoje dramat që përmenda më lart.

 

Por unë e kisha edhe në aspektin që ndoshta më mirë është të mos jetosh në Tiranë, sesa të jetosh. Për analogji, jam duke përmendur një ese të Mitrush Kutelit: “Në Prizren, midis të vdekurve dhe të gjallëve”. Kuteli këtu merr në konsideratë një tjetër qytet shqiptar, e përmend varrezat e Prizrenit duke thënë se atje prehen njerëz më shumë se në botën e gjallë. Kështu është edhe Tirana. Sharra dhe Tufina janë vendet ku prehen shumë persona që kanë ndërruar jetë. Një ditë kam qenë në ato varreza. Në fakt, ato ishin shumë në numër. I shihja si rrinin varret pranë njëra-tjetrës, ngjitur e ngjitur, pashë një grua të gjallë, punonjëse aty, që ishte me fytyrë xhindi dhe sikur kishte marrë hije prej pllakave të varreve e disa burra që hapnin një varr aty e që me lopata në duart e zhveshur deri në brez punonin e djersinin. Po hapnin varrin e radhës, për të vdekurin tjetër të qytetit të madh shqiptar. Mendova se aq e lodhshme është Tirana, jetesa këtu, sa ndoshta kur ikën në varreza bie në qetësi, nuk ke më halle, as probleme, as pabesi dhe as pamundësi. Shpirti të gjen prehje diku nën një qiparis. Jo, mendova pak më vonë. Këtu s’të lënë as të vdesësh i qetë. Janë bërë kaq shumë varre, vendi është mbushur me kaq shumë varreza, mermerë, sa nuk ka më vend. Në Tiranë, mirë trupi që të sakatohet, por frika është se ndoshta në një të ardhme, edhe shpirtin nuk ta lënë të qetë.

Posto një koment

Instituti Libri Promocioni