Anije kujtimesh
Poeti nuk dëgjon më.
Mbeti anije e braktisur në deltinë.
Zërat, tingujt, klithmat,
klithmat e qytetit,
kalëruar leshterikët e reve,
shtegtojnë ngopur me viktima.
Hapat, buzëqeshjet, inatet, kolla, dhimbjet,
luajnë pantomimat
e Çarli Çaplinit.
Një vetëtimë bie e lodhur mbi liqen.
U ndeh pabesisht dallga e la në breg një garzë shkume,
frymë më s’merr.
Bryma e heshtjes,
ngrin kërcitjen e fjalëve,
zgjon pyllin e siluetave,
rrokulliset zhurmshëm…
lodhjen fsheh.
Poeti shijon hidhësinë e kujtimeve.

Posto një koment