Britma e shpirtit
Një zë që bërtet nën zë,
Një heshtje që duket sikur ulërin,
Një disfatë që nuk përtypet,
Që ikën me inat si e përpirë.
Një zënkë që shpërthen brenda vetes,
Gërvisht me thonj muret e zemrës
Dhe era e tërbuar s’më thotë asgjë,
Në heshtje kërkon të zhvatë kujtimet.
E… dhimbja s’kishte ku të trokiste
Plaga e njomë sapo kish çelë,
Nga burimi i zemrës një zë kuiste
Ashtu dhimbshëm si një gërvishtje në qiell.
I lidhi lotët si degët e një peme
Zëri i saj u bë cicërimë zogjsh
Hidhërimi e mbyti si dallgë e madhe
Përse Zoti kaq fuqishëm e ndëshkoi?

Posto një koment