Poezi

Kodi 15-26

 

MESDHE

 

Në fund të detit është një botë,

që nuk i bindet kohës.

 

E mbushur me qytete, thesare,

calikë të lashtë me verë të vjetër,

statuja të thyera, të plota,

makina që lëkunden ngadalë.

 

Në të ka dhe njerëz, shumë njerëz:

ushtarë romakë dhe stjuardesa bionde,

kalifë me çallma, plazhistë të zhveshur,

armiq lloj-lloj me zemërim të fashitur.

 

Në fund të detit vrapojnë fëmijë,

që luajnë bashkë dhe qeshin,

dhe fshihen, dhe këndojnë,

dhe lidhin duart në një valle të gjatë.

 

Në fund të detit nuk ka ikje,

atje rrinë, prehen mbërritjet dhe përgjigjet,

dhe përgjithmonë gjithë sytë janë të qetë,

drita është brenda tyre.

 

Me vezullime

ledhatojnë rrymat e thellësisë,

herë pas here

ëndrra që bien si ar në fund të ujit.

 

 

Posto një koment